LIGJ

Nr.10 376, datë 10.2.2011

PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË “NXITJA E BIZNESIT SOCIAL”, SHA

Në mbështetje të neneve 78 e 83 pika 1 të Kushtetutës dhe të nenit 105 të ligjit nr.9901, datë
14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni l

Objekti i ligjit

Ky ligj ka për objekt krijimin e shoqërisë “Nxitja e biznesit social”, sh.a.

Neni 2

Qëllimi

Fusha e veprimtarisë së shoqërisë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe social nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të biznesit social, të qëndrueshëm, të balancuar dhe koheziv, në nivel kombëtar.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Biznesi social” është biznesi që adreson një problem social dhe mjedisor, ku fitimi i realizuar nuk shpërndahet, por riinvestohet në përmirësimin e veprimtarisë brenda biznesit social ose në biznese të tjera sociale;
b) “Statuti” është akti ku parashikohen rregullat e funksionimit të brendshëm të shoqërisë, të hartuara në mbështetje dhe për zbatim të këtij ligji, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) “Donator” janë të gjithë individët dhe institucionet kombëtare e ndërkombëtare, publike apo private, që financojnë projekte për t’u zbatuar nga shoqëria “Nxitja e biznesit social”, sh.a.

Neni 4

Statusi juridik
1.“Nxitja e biznesit social”, sh.a. është shoqëri aksionare me kapital shtetëror. Përfaqësuesi I aksionarit shtet është Ministri i Financave.
2.“Nxitja e biznesit social”, sh. a. ushtron veprimtarinë në përputhje me dispozitat e këtij ligji, me statutin dhe me aktet e tjera nënligjore.
3. Themelimi, organizimi e funksionimi i shoqërisë “Nxitja e biznesit social”, sh.a. i nënshtrohen dispozitave të legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare.

Neni 5

Objektivat

1. Shoqëria “Nxitja e biznesit social”, sh.a., në përmbushje të qëllimit të parashikuar në këtë ligj, realizon objektivat socialë dhe mjedisorë nëpërmjet mbështetjes dhe promovimit të biznesit social dhe mikrofinancimit, si dhe krijon veçanërisht mundësi për të ardhura të qëndrueshme për shtresat e varfra në Republikën e Shqipërisë.
2. Shoqëria “Nxitja e biznesit social”, sh.a. kontrakton shërbime nga të tretët, me qëllim arritjen
e objektivave socialë e mjedisorë.

Neni 6

Parimet e veprimtarisë

Shoqëria “Nxitja e biznesit social”, sh. a., në kryerjen e veprimtarisë dhe në ofrimin e mbështetjes për nismat e biznesit social, mbështetet në parimet e mëposhtme:
a) objektivi i biznesit nuk është maksimizimi i fitimit, por adresimi i një problemi social dhe mjedisor;
b) biznesi social karakterizohet nga qëndrueshmëria financiare dhe ekonomike;
c) investitorët nuk marrin divident, por vetëm shumën e tyre të investimit në biznesin social;
ç) fitimet e siguruara nga biznesi social mbeten për zgjerimin dhe përmirësimin e veprimtarisë brenda këtij biznesi ose në biznese të tjera sociale;
d) biznesi social është i ndjeshëm ndaj çështjeve të mjedisit.

Neni 7
Kapitali dhe burimet e financimit

1. Kapitali fillestar i shoqërisë “Nxitja e biznesit social”, sh.a. sigurohet nga Buxheti i Shtetit.
2. Të ardhurat në buxhetin e shoqërisë krijohen nga:
a) fondet e përfituara nga Buxheti i Shtetit;
b) fondet nga donatorët, sipas marrëveshjeve përkatëse;
c) fondet nga bashkëfinancimi i përfituesve dhe i njësive të qeverisjes vendore;
ç) burime të tjera, të lejuara nga legjislacioni në fuqi.
3.Të ardhurat e krijuara nga shoqëria përdoren për financimin veprimtarive të veta, sipas procedurave të përcaktuara në statut.

Neni 8

Struktura dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të shoqërisë

Këshilli i Ministrave miraton aktin e themelimit dhe statutin, ku përcaktohen masa e kapitalit të
nënshkruar të shoqërisë, struktura, si dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të saj.

Neni 9

Përjashtime

Shoqëria “Nxitja e biznesit social”, sh.a. përjashtohet, si subjekt i dispozitave të ligjit
nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” dhe të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për
prokurimin publik”, të ndryshuar.

Neni 10

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6904, date 22.02.2011 te Presidentiti te Republikes se Shqiperise, Bamir Topi

JU JAPIM MUNDËSINË QË NJË IDE SOCIALE TË BËHET BIZNES!

Na kontaktoni dhe një staf i përkushtuar do jetë në dispozicionin tuaj!