Çdo gjë shqip në Panairin e Krishtlindjeve në Bruksel

Çdo gjë shqip në Panairin e Krishtlindjeve në Bruksel

“ Kënaqësitë e Dimrit “ .

Për herë të parë, Shqipëria po merr pjesë në një nga Panairet më të mëdha të Krishtlindjeve “Winter Pret – Christmas Market” i cili zhvillohet në Bruksel, në datat 24 Nëntor deri me 31 Dhjetor 2017. Për pesë javë rresht, produktet tipike shqiptare, sikurse janë produktet artizanale, medicinale , të verave, vaji i ullirit, si dhe produktet turistike do të promovohen në këtë panair madhështor. Përgjatë mbrëmjeve, mund të shijohen prodhimet tipike shqiptare, të kombinuar kjo më së miri me performancë artistike nga Grupi i Ansamblit të Tiranës, Familja Qerimaj, Kuarteti i Radio Televizionit Shqiptar , Sopranoja e mirënjohur Alketa Çela si dhe shumë artistë dhe grupe të ndryshme muzikore shqiptare.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes së këtij eventi, mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse. Kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse e cilësoi vendin tonë dhe Tiranën, kryeqytetin e shqiptarëve, si të ftuarit e nderit të këtij edicioni të panairit “Winter Pret”. Stendat e këtij panairi madhështor u vizituan nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Kryetari i Bashkisë së Brukselit. Eneida Cobani, koridnatorja e këtij projekti mirëpriti në stendat e Nxitjes së Biznesit Social të dy kryetarët e bashkive sipas traditës tonë shqiptare, duke i qerasur me nga një gotë raki “ Sic pritet miku në Shqipëri ”, si dhe duke treguar live punimin e “ Qeleshes “ nga artizanët pjesëmarrës.
Nxitja e Biznesit Social në stendat e saj ekspozuese të produkteve unike artizanale shqiptare, kishte krijuar këndin ku përcillej më së miri trashëgimia jonë kulturore, ku krahas promovimit të vlerave artizanale shërbente edhe si kënd fotografish për të gjithë vizitorët e këtij eventi. Ky panair, shërbeu si mundësi e artë, jo vetëm në promovimin e vlerave artizanale shqiptare por edhe ndërtimin e urave bashkëpunuese , krijimin e partneriteteve mes bizneseve vendase dhe atyre të huaja, për t’i dhënë një impuls pozitiv ekonomisë së Shqipërisë.
.


JU JAPIM MUNDËSINË QË NJË IDE SOCIALE TË BËHET BIZNES!

Na kontaktoni dhe një staf i përkushtuar do jetë në dispozicionin tuaj!